SHOQATA RAJONALE FUTBOLLIT ELBASAN

Këtë edicion Federata Shqiptare e Futbollit vendosi ta shtrijë kursin për licensën e trajnerit UEFA C në të gjitha rajonet e vendit për të shkuar më afër të gjithë të interesuarve të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e botës së bukur të trajningut.

Sektori i Edukimit në FSHF ka organizuar këtë herë disa kurse njëkohësisht për këtë nivel license, teksa në Tiranë, Fier dhe Shkodër programet kanë nisur dhe së fundmi pritet të nisë edhe në Korçë më 8 maj 2023.

Ky edicion i kursit të licensës UEFA C do të jetë i ndarë në tre blloqe leksionesh e më konkretisht në datat 08-10 maj 2023, 01-03 qershor 2023 dhe 19-21 qershor 2023.

Sektori i Edukimit në FSHF u bën thirrje të gjithë atyre, të cilët jetojnë në rajonin juglindor në Korçë e zonat përreth e që kanë dëshirë të bëhen pjesë e kësaj eksperiencë unike, të regjistrohen sa më parë, pasi vendet janë të limituara.

Në këtë kurs mund të marrin pjesë ish-futbollistë, mësues të edukimit fizik, por edhe persona që janë të apasionuar pas futbollit dhe duan të zhvillojnë një karrierë në këtë sport. Mosha minimale për t’u regjistruar në kurs është 20 vjeç dhe kandidatët duhet të dërgojnë në adresën elektronike drejtoria.teknike@fshf.al diplomën e shkollës së mesme, aktivitetin që ushtrojnë, numrin e kontaktit si edhe një fotokopje të letërnjoftimit apo pasaportës.

Nuk do të pranohen në kurs kërkesat e dërguara nga kandidatët e dënuar mbi 180 ditë nga Komisionet Disiplinore të FSHF-së; studentët të cilët, ndërsa ndjekin kursin, do të pësojnë një pezullim prej më shumë se 180 ditësh nga Komisionet e FSHF-së; kandidatët e dënuar përjetësisht nga Komisionet e FSHF-së; studentët të cilët gjatë zhvillimit të kursit dënohen nga autoritetet pezullohen nga kursi.

Kërkesa për t’u regjistruar në kursin UEFA C, duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën e-mail drejtoria.teknike@fshf.al ose përmes postës së zakonshme me konfirmim marrje në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 01.05.2023 dhe të gjitha aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen.

Të gjithë personat që pajisen me licencën e trajnerit “UEFA C” kanë mundësinë të trajnojnë skuadra në futbollin amator dhe mund të punojnë si zëvendës-trajnerë me ekipet e moshave që marrin pjesë në kampionatet e të gjitha niveleve të organizuara nga FSHF në vend.